Hysni Gucati: Nuk i përjashtojmë protestat

Sejdi Berisha nga Kijeva dhe Nevzat Kryeziu nga Suhareka janë dy ish-pjesëtarë të UÇK-së të cilët u ftuan sot nga Gjykata Speciale.

Kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se muaji tetor dhe nëntor ishin të “nxehtë” sa i përket ftesave nga Gjykata Speciale.

“Realisht ne kemi paralajmëruar edhe më herët se muajt tetor dhe nëntor do të jenë goxha do të nxehta sa i përket ftesave të Gjykatës Speciale. Kështu që në tetor kanë ardhur një numër i madh i ftesave po edhe këto ditë të nëntorit, kanë ardhur shumë ftesa, ku për ne në bazë të informacioneve që kemi edhe ftesa që janë mbërri e kapërcen numrin 60 deri tani. Të gjitha ftesat nga fillimi i muajit mars të këtij viti e kapërcejnë shifrën mbi 250 ftesa, pa e ditur se ata që nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, qytetarë të rëndomtë”.

“Kështu që te ne janë lajmëruar një pjesë e madhe e veteranëve, ku edhe sot janë shpërndarë disa ftesa. Po janë dy më emra, është Sejdi Berisha nga Kijeva dhe Nevzat Kryeziu nga Suhareka, njëri në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa për tjetrin nuk e dimë në çfarë cilësie është ftuar”.

I pari i OVL-së së UÇK-së thotë se do t’i kërkohet Albin Kurtit shfuqizimi i Gjykatës Speciale, pasi që ky i fundit kishte deklaruar kohë më parë në Parlament se do ta shfrytëzojë këtë Gjykatë.

E nëse kjo nuk ndodh, atëherë kërkesë tjetër do të jetë futja e një aneksi në Gjykatës Speciale, ku mund të ndiqen penalisht edhe serbët që kanë kryer krime në Kosovë.

“Është reale unë nuk ia kam kërkuar por ai vet ka deklaruar në Parlament dhe ne ia kemi përkujtuar Kurtit që fjalët që na i ke dhënë në Kuvend edhe në takimin që e kam pasur me të, që unë do ta kërkoj nuk them në ditët e para të qeverisjes por në ditët në vijim që të paktën ta fus një aneks të Speciales. Unë e di se është i pamundur shfuqizimi i saj, për arsye që LDK-ja ka qenë sponsore bashkë me presidentin Thaçi që të formohet kjo gjykatë dhe se nuk munden ta shfuqizojnë tani, se LDK-ja nuk e shfuqizon dhe nuk voton kundër saj. Kështu që ne e dimë se Kurti e ka të pamundur, por ne do t’i drejtohemi për shfuqizim por edhe për futjen e një aneksi në këtë Gjykatë ku do të ndiqen serbët që kanë bërë krime në Kosovë”.

Ndërkaq, se a ka pranuar ftesë nga Specialja presidenti Thaçi, Gucati thotë se nuk është në dijeni.

“Kush i ka përmend nuk e di se do të ketë ftesë presidenti Thaçi. Por unë kam thënë se mund të ftohet edhe ai (Thaçi) dhe nuk them se nuk do të ftohet”.

Ndonëse ende nuk ka marrë ftesë Gucati nuk e përjashton mundësinë që edhe vetë të ftohet nga kjo Gjykatë. Gucati thotë se pas gjitha këtyre ndodhive nuk do të përjashtohet mundësia që të mbahet edhe ndonjë protestë./EO/

Next Post

Të Fundit